Më 17 shtator 2026, anëtarët e Rotary Club Skodrin, së bashku me miqtë rotarianë nga Rotary Club Lillehammer, Norvegji, patën kënaqësinë të ishin të ftuar nga Kastriot Faci në një aktivitet të veçantë në Fermën Ekosociale në Zues.
Muzika si urë për gjithëpërfshirjen
Në qendër të mbrëmjes ishte koncerti i bandës muzikore të personave me aftësi ndryshe, nën drejtimin e Maestro Bep Vjerdhës. Përmes muzikës, të rinjtë përcollën energji, talent dhe një mesazh të fuqishëm për gjithëpërfshirjen dhe vlerën që çdo njeri sjell në komunitet.
Miqësia ndërkombëtare dhe tradita shkodrane
Pas koncertit, mbrëmja vazhdoi me një darkë miqësore, ku rotarianët shqiptarë dhe norvegjezë patën mundësinë të njiheshin më nga afër. Atmosfera u shoqërua nga tingujt e organos, violinës dhe kitarës, me një përzgjedhje të muzikës tradicionale dhe qytetare shkodrane.
Mbrëmja bashkoi Rotary-n, miqësinë ndërkombëtare, solidaritetin dhe muzikën, duke na kujtuar se përmes bashkëpunimit mund të krijojmë më shumë mundësi dhe hapësirë për të gjithë.
Falënderime
Falënderojmë Kastriot Facin, Maestro Bep Vjerdhën, artistët e bandës dhe miqtë tanë nga Rotary Club Lillehammer për këtë mbrëmje të paharrueshme.
Miqësia na bashkon. Muzika nuk njeh kufij.










